Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi rolin kyç të bashkëpunimit me Komisionin e Venecias këtë të hënë në një takim në kuadër të 30-vjetorit të partneritetit mes Shqipërisë, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias. Ajo nënvizoi se kërkimi i opinioneve nga ky institucion duhet të jetë një proces paraprak dhe jo një mjet për të sfiduar vendimet përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese.
“Një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon është thjesht një dekor institucional,” tha Zaçaj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si një nga shtyllat e demokracisë europiane. Ajo kujtoi se Shqipëria është anëtare e Këshillit Evropian që nga viti 1995 dhe se konventa është bërë pjesë e Kushtetutës, duke u barazuar me këtë të fundit.
Kryetarja Zaçaj vuri në dukje se standardet dhe parimet e Komisionit të Venecias janë një garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe theksoi se marrëdhënia mes dy institucioneve është një partneritet në nivel barazie, jo një marrëdhënie mësues-nxënës.
“Kur Gjykata Kushtetuese kërkon opinion nga Komisioni i Venecias, ajo nuk kërkon leje dhe nuk cedon sovranitet,” tha ajo, duke shtuar se Komisioni ka shërbyer si udhërrëfyes në vendimmarrje, duke ndihmuar përmes standardeve dhe parimeve të zhvilluara.
Megjithatë, Zaçaj nënvizoi se procesi konsultativ nuk mund të përdoret për të shmangur apo kontestuar vendimet përfundimtare të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë të pakontestueshme nga ndonjë organ tjetër i shtetit.
“Kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret si mjet për të kontestuar një vendim të dhënë. Kjo është themelore për të respektuar ndarjen e pushteteve,” tha kryetarja e GJK-së.
Në përfundim, ajo kujtoi se Kushtetuta nuk është pronë e politikave, por një kontratë me qytetarin, ndërsa të drejtat dhe liritë themelore janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtim.
“Megjithatë procesi konsultativ me Komisionin e Venecias nuk mund të përdoret për të shmangur vendimet e GJK që janë përfundimtare, dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ i shtetit., Kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo të përdoret si mjet për të kontestuar një vendim të dhënë. Kjo është themelore për të respektuar ndarjen e pushteteve, Gjykata Kushtetuese nuk është dekorative, është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e politikave, është kontratë me qytetarin. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti, ata janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë pa përjashtim”, tha Holta Zaçaj.