Prokurorja e Sarandës, Esmeralda Basho, ndodhet në qendër të dyshimeve, pas publikimit të disa vetëdeklarimeve të pasurisë, që përmbajnë kontradikta dhe mungesë transparence.Në dokumentet e dorëzuara në ILDKPI, ajo rezulton pronare e një apartamenti 86 m² në Sarandë, pa e justifikuar burimin financiar të pronës. Në një deklarim tjetër thotë, se për 3 vite qira, ka paguar vetëm 200 mijë lekë të vjetra në total, një shumë qesharake, ndërsa në një tjetër dokument tregon, se e ka dhënë apartamentin e saj me qira për një ditë, me po njëjtën shumë.Gjithashtu, prokurorja Basho ka deklaruar mbi 8 milionë lekë në llogari bankare, sërish pa burim të specifikuar.Ekspertët e fushës dhe ish-prokurorë, i kanë cilësuar këto mospërputhje si deklarime të rreme, që përbëjnë shkelje të ligjit dhe mund të çojnë në ndjekje penale.
Kryebashkiaku i Neë York-ut, Eric Adams, vizitoi Tiranën dhe u takua me kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, Rama tha me humor, se Adams ka shprehur interes të takohet edhe me Diellën. Për të gjithë kuriozët, Adams nuk është martuar asnjëherë, por ka një djalë nga një ish-partnere. Pra, beqar, simpatik dhe i interesuar për Diellën.
Në Njësinë Administrative Bushat të Vaut të Dejës, Nik Jaha përballet me një problem të pazakontë, që nis pas një aksidenti në korrik 2024. Dy muaj më vonë, banesa e personit, me të cilin u aksidentua, u sulmua me lëndë plasëse, dhe Nik Jaha u bë i dyshuar nga policia. Ai u shoqërua dhe iu sekuestrua telefoni.Më pas telefoni i Nikut mbeti i bllokuar dhe ai nuk u kontaktua më nga policia apo prokuroria. Pas ankesave të shumta, në korrik 2025, Nik Jaha mori një urdhër për kthimin e telefonit. Por kjo nuk ndodhi.Në Komisariatin e Vaut të Dejës i thanë, se punonjësi përgjegjës, Klaudio Dorti, nuk ishte më pjesë e komisariatit dhe se nuk kishte kush të kryente ekzekutimin e urdhrit. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër konfirmoi, se telefoni nuk ishte kthyer nga prokuroria në komisariat, duke penguar kthimin e sendit.Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, u nxorr një urdhër i ri ekzekutimi dhe brenda një dite, telefoni iu kthye Nik Jahës.