Ervis Kurtaj, i riu që mbeti i plagosur së bashku me babanë e tij Rakip Kurtaj në sallën e gjyqit ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë.
Ai ndodhej në sallën e gjyqit si palë në procesin gjyqësor për çështje e pronësisë me familjen Shkambi në Shkodër.
“Kur gjyqtari mori vendim që ishte në favorin tonë, në atë moment Elvisi (Shkambi) është çuar nga karrigia dhe i është afruar duke qëlluar disa herë me armë zjarri. Në dukje ishte armë e vogël, por sa dëgjova krismat kapa babain nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Sapo kam kaluar derën e sallës, Elvisi u kthye duke qëlluar drejt nesh”, ka thënë ai ndër të tjera në dëshmi.
Ervis Kurtaj 45 vjeç doli nga spitali një ditë më parë. Ai u plagos me një plumb në krah, ndërsa babai i tij është ende në spital, por gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut.