Dy zyrtarë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vënë nën masën e sigurisë arrest me burg me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ata akuzohen për korrupsion në bashkëpunim dhe marrje ryshfeti, me qëllim mbulimin e një aktiviteti tregtar të paregjistruar në qytetin e Korçës.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka miratuar kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy personave:
“Arrest në burg” për shtetasin O.J., me detyrë inspektor pranë ISHTI-t; “Arrest në shtëpi” për shtetasin L.S., ish-inspektor në të njëjtin institucion ndërsa masat u ekzekutuan më 27 shtator 2025,
Nga hetimet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, dyshohet se më 1 nëntor 2021, dy inspektorët kanë marrë një shumë totale prej 900 mijë lekësh dhe 10 mijë dollarësh amerikanë nga një subjekt privat me inicialet J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar në Korçë pa dokumentacion ligjor dhe licencë teknike.
Në këmbim të shumës së përfituar, O.J. dhe L.S. nuk morën masa administrative, duke lejuar subjektin të vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit.
Procedimi penal është regjistruar më 5 mars 2025, për veprat penale të “Korrupsionit aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244/2, 259/2 dhe 25 të Kodit Penal.