Vrasja e 51-vjeçarit në Durrës, dëshmia e autorit: Beqiraj tentoi të më përdhunonte

Policia e Durrësit ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore vrasjen me thikë të 51-vjeçarit Valbon Beqiraj.

Pas hetimeve intensive, është bërë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Teilor Tivari, 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës.

Sipas deklaratës paraprake të dhënë në polici, 24-vjeçari pretendon se ngjarja ka ndodhur pas një tentative për abuzim seksual nga ana e Beqirajt.

“Me 51-vjeçarin njihesha, ishim miq. Më thirri në banesën e tij dhe shkova për të pirë një gotë birrë. Pas bisedës, ai tentoi të më përdhunonte. Tentova të mbrohesha, por ai ishte më i fuqishëm se unë. Arrita t’i shpëtoja, mora thikën e bukës dhe e godita. U përleshëm me njëri-tjetrin, sepse nuk më lejonte të largohesha. U largova i tronditur nga vendi i ngjarjes; nuk e mendoja se ai do të vdiste”, ka deklaruar i dyshuari.

Ndërsa në njoftimin e saj zyrtar policia thotë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, ku në konflikt e sipër shtetasit Teilor Tivari e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit 51 vjeçarin Valbon Beqiraj duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Përveç autorit të dyshuar të vrasjes policia njofton se ka arrestuar dhe 27 vjeçarin Xh. D., i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar Teilor Tivarin në banesën e tij.

Njoftimi i policisë

“Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:00, është marrë njoftim se në lagjen nr. 12, Durrës, në katin e katërt të një pallati ishte gjetur pa shenja jete, me shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me mjete të mprehta prerëse, shtetasi M. B., alias V. B., 51 vjeç.

Nga veprimet intensive hetimore të kryera, rezultoi se vrasja e këtij shtetasi ka ndodhur rreth orës 10:00 të datës 24.09.2025. Po nga veprimet, rezultoi se në banesën e 51-vjeçarit kishte hyrë shtetasi T. T., 24 vjeç, banues në lagjen nr. 7, Durrës, me qëllim blerjen e lëndës narkotike.

Gjatë komunikimit dhe qëndrimit, 24-vjeçari dyshohet se, për motive të dobëta, është konfliktuar me 51-vjeçarin dhe gjatë konfliktit, shtetasi T. T. e ka goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Xh. D., 27 vjeç, i cili, me një mjet taksi, e ka dërguar fillimisht në banesën e tij.

Nga tërësia e veprimeve hetimore janë siguruar prova ligjore që vërtetojnë autorësinë e të dyshuarve në kryerjen e kësaj vepre penale.

Në vijim të veprimeve, pas ndjekjes, u bë e mundur kapja e të dyshuarve dhe arrestimi në flagrancë i tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të veprës penale”. thuhet ne njoftimin e policise.

LEXONI GJITHASHTU:

Të Fundit