14-vjeçarja bën operacion për zmadhimin e gjoksit pa lejen e babait, vdes pas ndërhyrjes që ia kreu njerku

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Meksikë. Një vajzë 14-vjeçare, Paloma Nicole Arellano, ndërroi jetë në shtetin Durango pas komplikimeve të rënda shëndetësore që, sipas familjes, lidhen me një ndërhyrje kirurgjikale estetike për zmadhim gjoksi.

Sipas mediave meksikane, ndërhyrja u krye më 12 shtator dhe pas saj adoleshentja nisi të përjetonte probleme të rënda shëndetësore, derisa mjekët u detyruan ta fusnin në koma. Një javë më vonë, Paloma humbi jetën në spital.

Në certifikatën zyrtare të vdekjes është shënuar “edemë cerebrale e shkaktuar nga një sëmundje respiratore”. Por babai i saj, Carlos Arellano, pretendon se ky version nuk është i vërtetë dhe se pas tragjedisë qëndron operacioni estetik i kryer pa dijeninë e tij.

“Na dhanë menjëherë certifikatën. Nuk e di si e bënë kaq shpejt. Në funeral, kur pashë trupin e saj, kuptova se ajo kishte kryer operacion. Po përpiqen ta fshehin të vërtetën”, – ka deklaruar ai për mediat.
Carlos Arellano ka bërë një ankesë zyrtare duke kërkuar hetime të plota mbi rastin, për të përcaktuar përgjegjësit.

Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në Meksikë mbi moshën minimale për ndërhyrje estetike dhe mbi mungesën e kontrollit të rreptë në disa klinika private. Autoritetet e Durangos kanë konfirmuar se është hapur një hetim për këtë rast.

Tragjedia e Paloma Nicole Arellano ka ngjallur reagime të shumta edhe në nivel kombëtar. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se “rasti duhet hetuar deri në fund dhe të nxirren përgjegjësit përpara drejtësisë”.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Ndërkohë mediat lokale shkruajnë se Carlos kishte marrë në telefonatë nga ish-partnerja e tij një ditë para se të ndodhte tragjedia. Nënë a vajzës i kishte thënë se kishin rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe do të shkonin në malet e Durangos për t’u izoluar në një shtëpi që nuk kishte shërbim telefonik.

Ai ishte shqetësuar për shëndetin e tyre, por nuk kishte dyshuar se mund të fshihej diçka e errët pas asaj telefonate. E vërteta doli në pah vetëm ditën e funeralit të së resë, ku Carlos zbuloi se vajza e tij nuk kishte vdekur nga ndërlikimet e një sëmundjeje, por nga një procedurë kirurgjikale kozmetike që ajo i ishte nënshtruar fshehurazi.

Më 12 shtator, teksa babai besonte se vajza e tij po qëndronte në mal, në të vërtetë Paloma iu nënshtrua operacionit. Kirurgu nuk ishte i panjohur, ishte partneri aktual i nënës së saj, Victor “N”, i cili kreu procedurën me pëlqimin e saj, por jo të Carlos.

Ndërhyrja kirurgjikale shkaktoi një sërë ndërlikimesh shkatërruese mjekësore. Ajo që e reja pësoi ishte një javë agonie. Efektet pas operacionit ishin kritike: arrest kardiorespirator dhe ënjtje e rëndë e trurit që i shtyu mjekët të futnin 14-vjeçaren në koma.

Vetëm atëherë, kur situata ishte e dëshpëruar, nëna vendosi të kontaktonte Carlosin për ta informuar për gjendjen e vajzës së tij./El País

Të Fundit