Bledar Selmanaj, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari, ka tentuar të arratiset nga burgu i Fierit. Ngjarja është zbuluar në mëngjesin e kësaj të enjteje gjatë ndërrimit të turneve të shërbimeve të sigurisë.
Sipas informacioneve paraprake, Selmanaj kishte arritur të çante murin e qelisë dhe të dilte jashtë saj, por është kapur menjëherë në tarracën e burgut nga forcat e sigurisë. Ende nuk dihet me çfarë mjeti ai ka arritur të dëmtojë murin.
Prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për të, ndërkohë që ai është në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës.
Selmanaj ndodhej në godinën e veçimit të burgut prej një jave.
Ai është arrestuar më 25 gusht 2021 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, vetëm katër ditë pas ekzekutimit të Xhuljano Bullarit në fshatin Babicë të Vlorës. Trupi i 25-vjeçarit u gjet atëherë në një automjet tip “Fiat Punto”, i qëlluar me tre plumba.
Sipas hetimeve, konflikti mes Selmanajt dhe viktimës lidhej me prishjen e pazareve të drogës. Të dy njiheshin që nga burgu dhe kishin vijuar aktivitetet edhe jashtë tij. Ditën e vrasjes, ata ishin nisur nga Tirana drejt Vlorës për çështje trafiku, ndërsa përplasja ka nisur për një pagesë për një ngarkese droge e cila është paguar me para të falsifikuara.
Megjithatë, Selmanaj nuk e ka pranuar autorësinë e krimit.