Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbajt këtë të mërkurë seanca e radhës e Procesit “Gërdeci”, ku ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paraqiti pretendimet e tij lidhur me akuzat për shpërdorim detyre në dy raste.
Gjatë seancës, Mediu pretendoi se ekspertët e thirrur nga prokuroria për akt-ekspertizat tekniko-ushtarake ishin në një nivel të ulët ushtarak. Ai shtoi se disa ushtarakë të lartë kishin kundërshtuar këto ekspertiza, ndërsa prokurori kishte deklaruar se nuk kishte njohuri për kalibrat, pasi ishte jurist.
“Procedimi penal është ngritur në mënyrë të qëllimshme nga prokuroria e kohës për ministrin e Mbrojtjes. Ministri nuk merret me çështje ushtarake. Përgjegjësia për këto çështje i takon shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe stafit ushtarak. Ministri i Mbrojtjes është civil”, tha Mediu.