Toni Gogu reagon pas seancës plenare: Kuvendi, jo peng i ‘kollotumbave’

Pas përfundimit të seancës plenare të sotme, ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, reagoi me tone të ashpra ndaj sjelljes së opozitës, të cilën e akuzoi për bllokim dhe tentativa për të humbur kohën me debatet e zakonshme proceduriale.

Sipas ministrit, mbi 90 minuta u humbën për shkak të atyre që i quan “kollotumba” procedurale të opozitës.

“Mbi 90 minuta të shpenzuara sot me “kollotumba” proceduriale nga opozita e avazit të vjetër. Procesverbali i seancës së kaluar është thjesht një dokument formal, jo kasetë që riluhet sa herë i leverdis dikujt për të përsëritur me dëshpërim të njëjtat akuza që s’i hyjnë në xhep askujt, qytetarëve që na kanë sjell në këtë sallë jo dhe jo.

E megjithatë ne i miratuam sot përbërjet e komisioneve të përhershme parlamentare, me anëtarë të shumicës e të grupeve të opozitës dhe s’kemi hiç, po hiç fare, kohë për të humbur me “kollotumbat” e asnjërit. Ecim përpara me plot punë që na presin. Punë që po nuk i bëmë ne, ata që s’i kanë thënë kurrë punës mbarë, s’kanë për t’i bërë dot asnjëherë”, shkruan Gogu.

Të Fundit