Rama homazhe në nder të regjisorit Dhimitër Anagnosti

Në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajtën këtë të martë homazhet në nder të regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Figura të njohura të artit, politikës, miq dhe të afërm të tij morën pjesë në homazhe, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama.

Në nder të artistit, Këshilli i Ministrave shpalli ditën e sotme, 2 shtator 2025, ditë zie kombëtare. Në të gjithë vendin flamujt u ulën në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore zhvilluan homazhe për kujtimin e tij.

Dhimitër Anagnosti, i lindur më 23 janar 1936 në Vuno të Himarës, është një nga personalitetet më të shquara të kinematografisë shqiptare. Në një karrierë 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe shkroi 15 skenarë, duke u vlerësuar me tri Çmime të Republikës, tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar dhe dhjetëra çmime të tjera kombëtare e ndërkombëtare.

Mes veprave të tij më të njohura janë filmat “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, dhe “Gjoleka, djali i Abazit”, të cilët mbeten pjesë e pandashme e kujtesës kolektive. Përveç kinemasë, Anagnosti u dallua edhe në letërsi, duke botuar romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe librin “Ulliri, pema e dhembjes” (2019).

I nderuar me titullin “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” dhe dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Anagnosti la gjurmë edhe në jetën publike: ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist dhe ministër i Kulturës në vitin 1992.

Ai ishte i martuar me aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti, “Artiste e Merituar”, me të cilën ndau një jetë të tërë kushtuar artit.

Të Fundit