Shkojnë të shembin tendën në Kombinat, por tundohen nga 1 mijë euroshi

Katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) janë përfshirë në një skandal korrupsioni në zonën e Kombinatit në Tiranë, pas një denoncimi nga pronari i një objekti ku ishte konstatuar një tendë pa leje.

Gazetarja Glidona Daci raporton se katër punonjës të IMT-së kanë konstatuar një tendë pa leje në një objekt në zonën e Kombinatit. Pasi kanë kryer procedurën duke i theksuar se ishte pa leje dhe do prishej, më pas njëri prej tyre është rikthyer sërish dhe i ka kërkuar pronarit, që për të mos prishur tendën, i ka kërkuar ryshfet prej 1 mijë eurosh.

Pronari i objektit ka lajmëruar policinë, të cilët janë vënë në ndjekje të katër të dyshuarve. Më pas, uniformat blu i kanë dhënë pronarit të objektit paratë me numër serie që t’ua jepte punonjësve të IMT-së, në mënyrë që të dokumentohej ryshfeti.

Pasi janë dhënë paratë nga pronari, punopnjësit me inicialet G.F dhe K.Zh kanë shkuar në një lokal dhe kanë tentuar që t’i fshehin; paratë me numër serie i janë lënë banakierit të lokalit.

Fillimisht, policia ka kontrolluar ambientin e brendshëm, por kanë gjetur një telefon dhe një shumë tjetër parash, por që nuk ishin ato me numra serie. Pasi kanë këqyrur kamerat e lokalit, kanë parë veprimet; uniformat blu kanë konstatuar se paratë janë lënë te banaku i ambientit të jashtëm.

Aktualisht, në pranga është vënë vetëm G.F, ndërsa K.Zh është në kërkim. Dy punonjësit e IMT-së dyshohen për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Të Fundit