Në San Paolo Albanese, komuna më e vogël e rajonit të Bazilikatës, me 204 banorë, efektet e shpopullimit dhe mungesës së shërbimeve kanë filluar të ndihen.
– Advertisement –
Kryebashkiaku, Mose’ Antonio Troiano, nuk dorëzohet dhe shprehet kundër planit të ri strategjik kombëtar për zonat e brendshme.
“Jemi tërësisht të braktisur”, ka deklaruar qytetari i parë për agjencinë e lajmeve “ANSA”, duke i drejtuar një thirrje edhe kryeministres Meloni.
“E ftoj të vijë tek ne për të prekur me dorë vështirësitë e komunave të vogla të zonave të brendshme”, ka thënë Troiano.
I ndodhur në Val Sarmento, në një lartësi prej 843 metrash, San Paolo Albanese është ngritur nga arbëreshët dhe origjina e tij daton në vitin e largët 1534.
Banorët mbajnë ende të gjalla traditat arbëreshe, zakonet, gjuhën, ritet fetare greko-bizantine dhe festat popullore.
Qytetari i parë është shprehur kundër planit strategjik kombëtar, duke thënë se dokumenti përmban një frazë të papërshtatshme.
“Dokumenti thotë se rënia kronike e popullsisë është i pakthyeshëm, ndaj duhet ta shoqërojmë atë në mënyrë dinjitoze drejt fundit”, ka thënë Troiano.
Sipas tij, kjo është një zgjedhje që nuk mund të pranohet, ndaj dhe ftesa drejtuar kryeministres Meloni vlen edhe për ministrat e saj.
“Të na vizitojnë për të prekur nga afër vlerat e këtij komuniteti, vështirësitë që po përjetojmë dhe t’u japin një sinjal shprese gjeneratave të reja”, ka shtuar kryebashkiaku.