Netanyahu: Izraeli mund të tërhiqet nga Libani, nëse Hezbollahu çarmatoset

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshëndetur si një “vendim historik” hapin e kabinetit libanez për të punuar drejt çarmatosjes së Hezbollahut deri në fund të vitit 2025, duke thënë se ky proces mund të çojë në tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Libani jugor.

“Nëse Libani ndërmerr hapat e nevojshëm për të çarmatosur Hezbollahun, Izraeli do të përgjigjet me masa të ndërsjella, duke përfshirë zvogëlimin e pranisë ushtarake në jug të Libanit”, deklaroi Netanyahu.

Vendimi i Bejrutit vjen pas luftës 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut, e cila përfundoi në nëntor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Pas konfliktit, Hezbollahu mbeti i goditur rëndë, pasi shumë prej udhëheqësve të tij politikë dhe ushtarakë u vranë.

Megjithatë, udhëheqja e grupit të mbështetur nga Irani është zotuar se nuk do të dorëzojë armët, duke e cilësuar vendimin e Qeverisë libaneze si një hap që “i shërben interesave të Izraelit”. Zyrtarët e Hezbollahut kërkojnë që Izraeli të tërhiqet nga pesë kodrat që kontrollon brenda territorit libanez dhe të ndalë sulmet ajrore pothuajse të përditshme, përpara se të diskutojnë për çarmatimin.

Izraeli akuzon Hezbollahun se po përpiqet të rindërtojë kapacitetet ushtarake, ndërsa ushtria izraelite e konsideron zonën e pesë kodrave si pika strategjike për mbrojtjen e komuniteteve në veri, nga ku u zhvendosën rreth 60.000 izraelitë gjatë luftës.

Ndërkohë, marrëveshja e armëpushimit mbetet e paqartë përsa i përket objekteve dhe armëve të Hezbollahut në veri të lumit Litan. Interpretimet e saj ndryshojnë: Bejruti dhe Hezbollahu pretendojnë se kufizohet vetëm në zonën jugore, ndërsa Izraeli dhe SHBA këmbëngulin se ajo përfshin të gjithë territorin libanez.

Lufta Izrael–Hezbollah, e shpërthyer pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, shkaktoi mbi 4.000 viktima dhe dëme materiale të llogaritura në rreth 11 miliardë dollarë.

Të Fundit