Policia e Sarandës ka arrestuar Kevin Norrën, 23 vjeç, të riun që dyshohet si shkaktari i aksidentit të rëndë të mbrëmjes së së dielës, ku humbën jetën dy motrat nga fshati Kopaçez i Delvinës, Ela dhe Rezi Dhimaku.
Sipas uniformave blu, 23-vjeçari nga Gjirokastra, po drejtonte një automjet tip “Audi” në gjendje të dehur, kur u fut në parakalim të gabuar dhe u përplas ballë për ballë me mjetin tip “Lancia”, në vendin e njohur si “Pularia”, në aksin rrugor Sarandë–Delvinë.
Nga testi i alkoolit, ai rezultoi me një nivel shumë të lartë alkooli në gjak.
Përplasja rezultoi fatale për drejtuesen e mjetit “Lancia”, Ela Dhimaku, 22 vjeçe, dhe për motrën e saj Rezi Dhimaku, 20 vjeçe, e cila udhëtonte si pasagjere në vendin e parë.
E vetmja që i mbijetoi aksidentit në makinën e viktimave është Antonela Zhupa, 24 vjeç, e cila u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës me politrauma, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën. Për trajtim më të specializuar, ajo është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Policia njofton se 23-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 23 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.