Kuvendi i ri pritet të nisë punën më 10 shtator

Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, pritet të nisë punën më 10 shtator. Por për ta zyrtarizuar këtë datë do të duhet dekreti i firmosur nga presidenti Bajram Begaj.

– Advertisement –
Në bazë të rregullores së kuvendit, mbledhja e parë hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë.

Sipas të dhënave, deputeti më i vjetër 81 vjeç është Sali Berisha, e nëse do të refuzojë atëherë në radhë është një tjetër demokrat, Tritan Shehu. Nëse edhe ky i fundit nuk do të pranojë, atëherë radha për të drejtuar seancën e parë do të jetë e Vasil Llajos, socialistit 68 vjeç i cili ulet për herë të parë në karrigen e kuvendit.

Në mbledhjen e parë të parlamentit të ri zgjidhet një komision i përkohshëm për verifikimin e mandateve i përbërë nga 9 deputetë i cili pasi verifikon mandatet fton një e nga një deputetët të bëjnë betimin.

Më pas seanca vijon me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, ku kandidati për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë me shumicën e votave.

Rezultatet e 11 majit prodhuan 83 mandate për Partinë Socialiste, 50 mandate për Partinë Demokratike, 3 mandate Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia, 1 mandat Shqipëria Bëhet dhe 1 mandat Lëvizja Bashkë. Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 72 janë deputetë për herë të parë në karrigen e Parlamentit.

Të Fundit