Një deputet finlandez ka kryer vetëvrasje këtë të martë brenda ndërtesës së Parlamentit, sipas raportimeve të mediave lokale.
Viktima është Eemeli Peltonen, 30-vjeç, një ndër ligjvënësit më të rinj të parlamentit finlandez.

“Një person ka vdekur në Parlament, gjë që duket të jetë vetëvrasje e një anëtari të parlamentit,” raportoi e përditshmja finlandeze Iltalehti.
Aaro Toivonen, kreu i departamentit të sigurisë së parlamentit, konfirmoi vdekjen e një personi brenda ambienteve të parlamentit, por nuk dha shumë detaje.
“Një vdekje ndodhi në mëngjes. Shërbimet e urgjencës mjekësore, njësitë e shpëtimit dhe autoritetet policore u njoftuan për vendin e ngjarjes nëpërmjet qendrës së urgjencës,” tha ai.
Toivonen nuk e mohoi informacionin kur u pyet nga transmetuesi finlandez Yle nëse çështja përfshinte një vetëvrasje, por shtoi se nuk mund të komentojë mbi vendndodhjen e saktë të vdekjes brenda Parlamentit apo nëse ishte përfshirë një deputet apo një punonjës i parlamentit.
“Ky është një rast shumë i pafat dhe i trishtueshëm,” tha Toivonen.
Policia konfirmoi gjithashtu se rasti nuk përfshin ndonjë krim dhe se disa njësi patrullimi dhe shërbime mjekësore të urgjencës janë aktualisht në vendngjarje.