Trump: E di saktësisht çfarë po bëj, i dhashë fund 6 luftërave në 6 muaj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha sot se i ka dhënë fund gjashtë luftërave në gjashtë muaj, por se duhet të dëgjojë shumë njerëz që i thonë se po e bën gabim.

“E di saktësisht çfarë po bëj. Kam përfunduar gjashtë luftëra në gjashtë muaj, njëra prej tyre një katastrofë e mundshme bërthamore, megjithatë më duhet të lexoj dhe të dëgjoj ‘Wall Street Journal’ dhe shumë të tjerë që nuk kanë asnjë ide, duke më thënë se gjithçka që po bëj është e gabuar në lidhje me rrëmujën Rusi-Ukrainë”, shkroi ai në rrjetin social Truth.

Trump u shpreh se është aty vetëm për të ndaluar konfliktet, jo për t’i thelluar ato.

“Kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha unë president. Unë e di saktësisht se çfarë po bëj dhe nuk kam nevojë për këshillat e njerëzve që kanë punuar në të gjitha këto konflikte për vite me radhë dhe nuk kanë arritur kurrë t’i ndalojnë ato”, theksoi Trump.

Siç deklaroi ai, ata janë njerëz budallenj, pa mendje të shëndoshë, inteligjencë apo mirëkuptim, dhe vetëm sa po e bëjnë të vështirë zgjidhjen e katastrofës aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Pavarësisht të gjithë kritikëve të mi sipërfaqësorë dhe shumë ziliqarë, do ta rregulloj – gjithmonë e bëj”, tha presidenti amerikan.

Të Fundit