Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të enjte më 31 korrik, një vendim që përcakton rregullat e trajtimit financiar dhe ekonomik të punonjësve të Policisë së Shtetit, të caktuar në detyrë si oficerë ndërlidhës pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe organizatave ndërkombëtare jashtë vendit.
Vendimi parashikon një paketë mbështetëse, jo vetëm për vetë oficerët, por edhe për familjarët që i shoqërojnë gjatë misionit të tyre.
Sipas vendimit, Ministria e Brendshme do të mbulojë të gjitha shpenzimet e nevojshme për këta punonjës dhe familjet e tyre, brenda fondeve buxhetore të miratuara.
Trajtimi financiar i oficerëve përfshin:
-Shpenzime për qira, mirëmbajtje banese, energji, ujë, gaz dhe pajisje shtëpiake.
-Shpenzime për automjetin zyrtar: sigurim, karburant, parkim dhe mirëmbajtje.
-Internet, telefoninë fikse dhe të lëvizshme.
-Udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit pritës, dieta dhe detyrime protokollare.
-Mbështetje për aktivitetet e studentëve shqiptarë të policisë jashtë vendit.
-Shpenzime për transportin e tyre dhe të familjarëve në fillim dhe përfundim të mandatit.
-Shpenzime për uniforma, kancelari dhe pajisje zyre.
-Sigurim jete dhe shëndetësor, veçanërisht në vendet me rrezikshmëri të lartë.
-Pagesa për kurime dhe urgjenca shëndetësore në shtetin pritës ose vende të treta.
Përfitimet për familjarët
Familjarët që shoqërojnë oficerët ndërlidhës jashtë vendit përfitojnë një trajtim financiar të posaçëm, i cili përfshin sigurime shoqërore dhe shëndetësore për bashkëshortët, pagesë mujore në masën 50% të pagës së një “Atasheu” për bashkëshortin/en dhe 20% për çdo fëmijë nën 18 vjeç.
“Trajtim financiar mujor i bashkëshortit/es që shoqëron oficerin ndërlidhës, që shërben në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe në organizatat ndërkombëtare jashtë vendit, është në vlerën 50 (pesëdhjetë) për qind të pagës së pozicionit të punës të gradës “Atashe” të vendit të emërimit të oficerit ndërlidhës. Pagesa e trajtimit financiar mujor fillon pas vërtetimit të shoqërimit në detyrë të oficerit ndërlidhës nga bashkëshorti/ja në vendin pritës. Ky trajtim i nënshtrohet ndalesave të tatimit mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.”, thuhet në vendim
Gjithashtu, mbulohen shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në shkolla publike apo private (në rastet kur nuk ofrohet mësim në gjuhët kryesore), deri në 2 mijë e 500 euro në vit për fëmijë, si dhe shpenzimet për libra dhe transport drejt institucionit arsimor.
“Për rastet kur në shtetin pritës, gjuha e shkollimit në shkollat publike nuk është anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, shkollimi i fëmijës të oficerit ndërlidhës mund të bëhet në shkolla private të licencuara dhe me miratimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit mbulohet tarifa për shkollimin për çdo fëmijë deri në masën 2 500 (dy mijë e pesëqind) euro në vit;
iv. Shpenzimet e pagesës së librave dhe transportit.”- thotë vendimi.
Vendimi gjithashtu përmban dispozita për situata të jashtëzakonshme si: Pagesa e plotë për përkujdesjen ndaj familjes kur oficeri ndodhet për shërbim jashtë shtetit pritës, mbështetje financiare në rast sëmundjesh ose fatkeqësish familjare, mbulesa e shpenzimeve për ceremonitë mortore dhe transportin e trupit në atdhe në rast vdekjeje.
Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe do të ketë efekt nga data 1 janar 2026.