Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese, me 17 vatra aktive në disa qarqe të Shqipërisë. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bën me dije se autoritetet po punojnë intensivisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa në terren janë angazhuar rreth 1000 forca ushtarake dhe civile.
Operacionet po koordinohen nga Forcat e Armatosura dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërkohë që mbështetja ajrore është rritur ndjeshëm, me përfshirjen e helikopterëve.
Gjatë pasdites pritet të angazhohen dhe 2 avionë “Canadair” nga Italia dhe Kroacia.
Pirro Vengu: Aktualisht janë 17 vatra aktive në disa qarqe të Shqipërisë, ku po vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Në terren janë angazhuar afërsisht 1000 forca, ushtarake dhe civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje, nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente.
Deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin. Gjatë pasdites pritet të angazhohen edhe 2 avionë “Canadair” nga Italia dhe Kroacia , për të forcuar më tej ndërhyrjen ajrore.