“Largohuni”- Zjarri rrezikon banesat në Paftal, e moshuara refuzon evakuimin: S’iki

Zjarri i përmasave të mëdha që ka përfshirë malin Shpirag ka arritur pranë zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht banesat në fshatrat Paftal dhe Galinë. Flakët ndodhen vetëm disa metra larg shtëpive, ndërsa situata është tejet kritike për shkak të erës dhe terrenit të vështirë që pengon operacionet e shuarjes së zjarrit.

Pamjet tregojnë skena dramatike, me forcat e emergjencës që bëjnë thirrje urgjente për evakuim të banorëve. Mes tensionit dhe frikës, një e moshuar në fshatin Paftal ka refuzuar të largohet nga banesa e saj, pavarësisht rrezikut të drejtpërdrejtë dhe kërkesave të përsëritura të ekipeve në terren.

Pjesë nga debati:

Pjesëtari i emergjencave: Duhet të evakuoheni, merrni fëmijët dhe dilni në rrugë.
Gazetari: Nuk do largohesh dhe pas urdhrit të dhënë?
E moshuara: Unë do iki, do futem brenda!
Pjesëtari i emergjencave: Jo brenda, do dalësh nga shtëpia!
E moshuara: Ku të vete?
Pjesëtari i emergjencave civile: Shko poshtë nënë, largohu nga vatra e zjarrit!
E moshuara: Ua turp i Zotit, në anë të rrugës të digjet toka aty.

Forcat e emergjencës kanë vazhduar përpjekjet për ta bindur atë dhe banorë të tjerë të largohen sa më parë nga zona, ndërsa zjarri përparon me ritme shqetësuese. Era e fortë dhe terreni i thyer vijojnë të pengojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Të Fundit