Vizita e Veliajt në spital, avokatët kërkesë “Burgjeve” për protokollin: U shoqërua nga 30 policë dhe hetues

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë kërkuar informacion nga Drejtoria e Burgjeve mbi trajtimin mjekësor dhe shoqërimin e tij në spital.

Ata pretendojnë se masat për shoqërimin kanë qenë ekstreme “duke shkelur çdo protokoll mjekësor dhe trajtimin njerëzor”.

Bëhet fjalë për një vizitë mjekësore që Veliaj e ka kryer më 17 korrik.

Sipas avokatëve, Veliajt i ishte refuzuar disa herë kërkesa për trajtim të nevojshëm mjekësor. Por sipas tyre edhe pse iu miratua u shoqërua me “një prani të jashtëzakonshme sigurie prej 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së”.

“Disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit – masa të papërshtatshme dhe të pajustifikuara për një person si zoti Veliaj dhe në shkelje të çdo protokolli mjekësor”, thuhet në kërkesën e tyre drejt “Burgjeve”.

Ata shprehen se do të ndjekin me mjete ligjore çdo shkelje ndaj dinjitetit dhe trajtimit njerëzor duke kërkuar “transparencë mbi procedurat e ndjekura, forcat e angazhuara dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në institucionin shëndetësor, si dhe të gjithë planin e masave për këtë shoqërim”.

Kujtojmë se Erion Veliaj është marrë i pandehur për katër akuza nga Prokuroria e Posaçme. Me të është marrë e pandehur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa

Të Fundit