Vendimi i qeverisë, vetëdeklarimi i adresës bëhet i detyrueshëm në e-Albania

Çdo qytetar me banim ose vendqëndrim në Shqipëri ka detyrimin të bëjë vetëdeklarimin e adresës nëpërmjet e-Albania.

Sipas vendimit të fundit të qeverisë, qytetarë duhet të ngarkojnë në sistem edhe dokumentin e pronësisë së apartamentit ose kontratës së qirasë për ata që banojnë me qira.

E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për rastet e ndryshimit të adresës së vendbanimit.

Në këtë rast, qytetarët duhet të ngarkojnë çdo dokument të ligjshëm që provon vendbanimin apo vendqëndrimin në adresën e deklaruar.

Mënyra e paraqitjes së kërkesës për deklarim apo ndryshim të adresës përcaktohet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

“Shtetasit kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit në rrugë elektronike, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin në adresën e deklaruar”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Zyrat e gjendjes civile janë të detyruara të verifikojnë saktësinë e adresave dhe të njoftojnë qytetarët brenda 24 orëve në rast mungese të dokumentacionit. Ky dokumentacion duhet të plotësohet nga qytetari brenda tre ditëve nga njoftimi.

Vendimi përcakton gjithashtu se të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, me të gjitha elementet e saj të plotësuara.

Të Fundit