Zjarret e verës rrezikojnë monumentet e kulturës dhe objektet e trashgimisë kulturore në Gjirokastër. Krahas vëmendjes që po tregohet për evitimin e zjarreve në zonën historike të qytetit të gurtë kujdes po i kushtohet edhe siteve dhe parqeve arkeologjike. Për vetë pozicionin gjeografik Parku Arkeologjik i Antigonesë në këto ditë vere është në vëmendje për mirëmbajtjen e tij.
“Gjatë kësaj periudhe në këtë park janë kryer punime mirëmbajtëse kryesisht në evitimin e bimësisë së rritur pasi në këtë sezon të temperaturave të larta egziston mundësia e rrezikut nga zjarret, nisur edhe nga pozita gjeografike e këtij parku”, tha Ardis Duka, drejtor i DRTK, Gjirokastër.
Në bashkëpunim me komunitetin e zonës së Lunxhërisë synohet parandalimi i zjarreve në zonën ku shtrihen rrënojat e këtij siti arkeologjik.
“Duke kryer pastrimin e gjithë këtyre monumenteve që ndodhen në këtë park si dhe njoftimi i të gjithë bannorëve për të evituar mundësinë e zjarreve në këtë park”, shtoi Duka.
Në këtë sezon vere Parku Arkeologjik i Antigonesë po regjistron rritje të vizitueshmërisë nga turistët vendas dhd të huaj.
“Antigoneja është një park i vizituar ka patur një rritje progresive nga viti në vit, aktualisht kemi një rritje 15% të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, interesi është në rritje por duke qenë një park arkeologjik ka veçantinë dhe tipologjinë e të qënit të një grupi të kualifikuar të vizitorëve që janë të interesuar drejt arkeologjisë apo këtyre siteve të trashëgimisë kulturore”, nënvizoi drejtori i DRTK.
Kujdes në këto ditë me temperatura të larta po i kushtohet parandalimit të zjarreve edhe në sitet e tjera arkeologjike në Luginën e Drinos si : Adrianopol, Palokastër.