‘Bankers’, Prokuroria: Shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite!

Prokuroria Fierit ka zbuluar detaje të reja në lidhje me aksionin hetimor të zhvilluar ndaj kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum Albania”, në kuadër të hetimeve për evazion fiskal dhe pastrim parash.

Përmes një komunikate zyrtare, organi i akuzës bën me dije se në kuadër të këtij aksioni janë lëshuar 14 masa sigurie, nga të cilat 9 janë ekzekutuar, ndërsa 5 persona janë shpallur në kërkim.

Ndër personat e arrestuar janë edhe ish-administratori i kompanisë, Leonidha Çobo, dhe drejtori aktual me origjinë kineze, Hongping Xiao.

“Hetimet nisën pas një referimi nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe pas një hetimi 6-mujor me metoda proaktive, ku u grumbulluan prova që dyshojnë për veprime të paligjshme për shmangie të detyrimeve tatimore dhe pastrim parash”, njofton prokuroria.

Prokuroria akuzon kompaninë për “Krijim të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehje të të ardhurave”, “Pastrim të produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje detyrash nga organet tatimore”.

Hetimi ka zbuluar se nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, Bankers Petroleum ka deklaruar humbje të vazhdueshme, duke shmangur pagesën e taksave, megjithëse ka kryer eksport dhe shitje brenda vendit në vlerën mbi 532 miliardë lekë. Sipas hetimeve, shoqëria ka deklaruar shpenzime të rreme që tejkalojnë të ardhurat, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit.

Në kuadër të këtij aksioni janë ushtruar kontrolle në ambiente të kompanisë dhe në banesa private, ku janë sekuestruar prova të rëndësishme. Pjesë e hetimit janë edhe disa individë dhe kompani të tjera të implikuara në skema mashtrimi dhe pastrim parash.

Prokuroria e Fierit njofton se do të vijojë me efektivitet ndjekjen penale për të vënë para përgjegjësisë penale të gjithë autorët e këtyre veprave.

Të Fundit