Debate në seancën e fundit parlamentare, PD dhe PS përplasen për zjarrin në Elbasan

Seanca e fundit parlamentare e kësaj legjislature u mbajt këtë të enjte mes debateve opozitë-maxhorancë për zjarrin që ka përfshirë fushën e grumbullimit të mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit.

Në fillim të seancës u regjistruan përplasje mes kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe deputetes demokrate Zheni Gjergji, e cila ngriti shqetësimin për gjendjen e rënduar mjedisore pas zjarrit në Elbasan. Spiropali ndërpreu fjalën e Gjergjit duke i kërkuar që t’i përmbahej procedurës parlamentare.

Deputetja Gjergji tha se zjarri është një sinjal alarmi për gjendjen dramatike të mjedisit dhe dështimin e projektit të inceneratorit. Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi një debat parlamentar për tre inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, të cilët sipas saj nuk funksionojnë ende.

“Debat parlamentar për atë që ndodhi në Elbasan është i domosdoshëm, për të hetuar përdorimin e fondeve prej 430 milionë eurosh, të cilat dyshohet se janë shpenzuar në mënyrë korruptive. Që nga viti 2017 ne kemi kërkuar këtë diskutim, por asnjë nga inceneratorët nuk ka funksionuar ende. Kuvendi duhet të marrë përgjegjësi”, u shpreh Tabaku.

Në përgjigje, Spiropali u kërkoi deputetëve që të paraqesin kërkesat sipas rregullores nëse duan të ndryshojnë rendin e ditës dhe të flasin për zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan.

Edhe deputeti demokrat Qani Xhafa u shpreh në seancë, duke e konsideruar zjarrin në landfillin e Elbasanit si të qëllimshëm, për të zhdukur prova.

“Së pari, është vënë zjarri një ditë pas thirrjes së 21 personave nga prokuroria e Elbasanit, për zhdukjen e provave në landfill. Kam paralajmëruar se Elbasani do përballet me një katastrofë të rëndë mjedisore. Kryeministri duhet të ndalonte te inceneratori dhe t’i kërkonte falje banorëve për këtë situatë. Fusha duhet të bllokohet dhe të gjendet vend i përshtatshëm për mbetjet urbane”, tha Xhafa.

Të Fundit