E fshehën në fshat, por s’iu shpëtuan dronëve, arrestohen dy vëllezër për kultivimin e kanabisit

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy vëllezër, të cilët ishin shpallur në kërkim, të dyshuar si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike kanabis në zonën e fshatit Sheldi.

Të arrestuarit janë shtetasit Emiljan Filipi, 28 vjeç, dhe Mikelian Filipi, 20 vjeç, banues në Sheldi. Të dy kishin ndaj tyre një masë sigurie të caktuar nga Gjykata: “Arrest në burg”.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Sheldija”, i finalizuar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë. Sipas autoriteteve, gjatë hetimeve të mbështetura në metoda proaktive dhe informacione operative, u siguruan prova që i lidhin vëllezërit me kultivimin e bimëve narkotike.

Këto bimë u zbuluan më 29 prill 2025, gjatë operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, që u zhvillua në zonën e Sheldisë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve ligjore.

Të Fundit