Ilir Meta do të paraqitet sot në orën 11:30 në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku do të kërkojë zbutjen e masës së sigurisë që i është caktuar.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se është zbuluar një episod i ri korrupsioni, i cili i atribuohet Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit. Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare që rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme.
Mësohet se karta i është vënë në dispozicion Metës dhe Kryemadhit nga biznesmeni Adrian Shatku. Nga hetimet paraprake më herët u zbulua një kartë tjetër “Amerikan Express” që ishte përdorur dhe vënë në dispozicion nga i njëjti biznesmen.
Po ashtu, SPAK pritet të saktësojë edhe episodin mbi akuzën e lobimit të ish-LSI-së, pasi nga letërporositë janë zbuluar të dhëna të reja lidhur me pagesat dhe kontratën përkatëse.