Fillon Akademinë Politike të PS-së, Zegjine Caushi: Të gjithë lektorët janë të mirë

ëtë të premte, në selinë e PS-së, deputetët e rinj të zgjedhur janë thirrur për të marrë pjesë në leksionet e para të Akademisë Politike të PS-së, ku lektori i ditës do të jetë Fatmir Xhafa.

Në momentet e hyrjes së saj në seli, deputetja e qarkut të Fierit, Zegjine Çaushi, u pyet nga gazetarët në lidhje me ndjesitë e saj për Akademinë Politike.

Ajo u shpreh se kjo, në vetvete, është një trajnim dhe jo një shkollë, ndërsa shtoi se të gjithë lektorët që do të japin leksionet politike për deputetët e rinj janë shumë të mirë, që nga Kryeministri Rama e deri te më i fundit.

“Nuk është dita e parë e shkollës, është thjesht një trajnim. Të gjithë lektorët janë shumë të mirë, që nga Kryeministri e deri tek i fundit. Nuk kemi një të preferuar. Shumë faleminderit, këtu do jemi, pa merak,” – tha deputetja më e re e PS-së për qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi.

Pas Zegjine Çaushit, në seli mbërriti edhe deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, i cili është lektori i ditës së sotme. Ai u shpreh se nuk i konsideron deputetët e rinj si nxënës, por si kolegë të tij.

Xhafaj tha se, ashtu si në çdo punë tjetër, do të përpiqet t’u transmetojë atyre përvojën e tij politike ndër vite.

“Nuk do të bëj mësim – ata nuk janë nxënës, janë kolegë të mi. Siç ndodh kudo, dikush që ka një eksperiencë më shumë përpara, mundohet t’ua transmetojë kolegëve. Është kënaqësi për mua që të takohem me kolegët e mi, me të cilët do të ndaj katër vitet e ardhshme në Parlament. Kam disa mesazhe për ta, por do t’ua jap atyre,” – tha deputeti Fatmir Xhafaj.

Kujtojmë se hapja e Akademisë Politike të PS-së për vitin 2025 u bë nga Kryeministri Edi Rama ditën e enjte në ambientet e COD në Kryeministri.

Ceremonia ishte e mbyllur, ndërsa leksionet e para për 39 deputetët e rinj të PS-së filluan këtë të premte në selinë rozë.

Të Fundit