Edhe këtë të mërkurë, Policia e Durrësit ka njoftuar se po vijon zbatimin e plan-operacionit “Plazhi i lirë”, që synon lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që zhvillojnë subjektet përgjatë sezonit turistik.
Në njoftimin zyrtar thuhet se janë liruar dy hapësira të tjera publike në lagjen nr. 1, Durrës, të cilat ishin zënë në mënyrë të paligjshme ndërsa gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar 182 komplete me çadra dhe shezlongë.
Policia ka proceduar penalisht dy shtetas, 36-vjeçarin N.D. dhe 70-vjeçaren R.H., të dy banues në Durrës ndërsa thotë se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e hapësirave publike në shërbim të pushuesve.
Njoftimi i Policisë së Durrësit
“Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në vijën bregdetare, në vijim të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.
Lirohen 2 hapësira në lagjen nr. 1, Durrës, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 182 komplete me çadra dhe shezlongë.
Procedohen penalisht 2 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në lagjen nr. 1., në dy hapësira publike në bregdet u hoqën dhe u sekuestruan 182 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme, nga 2 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit N. D., 36 vjeç dhe R. H., 70 vjeçe, të dy banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror”, thuhet në njoftimin e policisë.