Një aktor dhe këngëtar tajlandez, i cili i mbijetoi një rrëzimi vdekjeprurës ajror 27 vjet më parë, vuri re një rastësi të çuditshme kur mësoi për katastrofën e Air India: i mbijetuari i vetëm, Vishwash Kumar Ramesh, ishte ulur në të njëjtin vend ku ishte edhe ai, kështu shkruan India Today.
Aktori tajlandez Ruangsak Loychusak u trondit kur zbuloi se i mbijetuari i vetëm i rrëzimit të Air India ishte në vendin 11A, i njëjti vend që kishte zënë kur fluturimi i tij i Thai Airways u rrëzua në vitin 1998.
Më 11 dhjetor 1998, 20-vjeçari Ruangsak i shpëtoi vdekjes kur avioni i Thai Airways u bllokua dhe u zhyt në një kënetë ndërsa përpiqej të ulej në Tajlandën jugore, ku mbetën të vdekur 101 nga 146 personat në bord.
Ruangsak ishte në vendin 11A, njësoj si i mbijetuari i rrëzimit të aeroplanit të Air India. I mbijetuari i vetëm i avionit Boeing 787 Dreamliner që u rrëzua në një zonë të populluar të qytetit perëndimor indian të Ahmedabadit, Ramesh, 40 vjeç, ishte vetëm i plagosur dhe arriti të zbriste nga avioni.
Fakti që vetëm një person i mbijetoi rrëzimit është komentuar gjerësisht edhe në mediat sociale, duke u përshkruar në mënyra të ndryshme si e jashtëzakonshme, mrekulli madje dhe hyjnore. Shpëtimi i pasagjerëve në këtë ulëse po nxit magjepsjen e publikut për vendin 11A, por pse jo edhe çmimin e biletave për t’u ulur në këtë vend.