Krimi i rëndë në Itali, 45-vjeçarja shqiptare masakrohet me thikë në mes të qytetit nga ish-bashkëshorti

Një tjetër ngjarje tronditëse ka goditur Italinë: një grua 45-vjeçare me origjinë shqiptare është vrarë brutalisht me thikë të shtunën pasdite në qytetin e vogël Tolentino, pranë Maceratës.

Sulmi ndodhi në mënyrë të papritur në një nga zonat më të populluara të qytetit, në rrugën Viale Benadduci, ku gruaja e identifikuar si Gentiana Hudhra u godit disa herë me një thikë kuzhine, para syve të kalimtarëve të tronditur.

Autori i dyshuar i krimit është ish-burri i saj, një 55-vjeçar gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili nuk tentoi të arratisej pas sulmit. Ai u gjet nga karabinierët i ulur në një stol pranë vendngjarjes, në gjendje të hutuar dhe pa rezistuar arrestimit.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të pasdites, në një zonë të frekuentuar nga qytetarët. Dëshmitarët okularë tregojnë se gjithçka ndodhi në pak sekonda. Gruaja u qëllua në trotuar me disa goditje thike dhe pavarësisht britmave të saj dhe reagimit të menjëhershëm të kalimtarëve, ndihma mjekësore nuk mundi të bëjë asgjë për ta shpëtuar jetën e saj.

Shërbimet e emergjencës konfirmuan vdekjen në vend, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit.

Viktima kishte jetuar prej disa vitesh në Tolentino dhe ishte nënë e dy fëmijëve të rritur, 21 dhe 23 vjeç, që i kishte nga martesa me autorin e dyshuar. Çifti ishte ndarë prej tre vitesh dhe deri më tani nuk janë raportuar episode të mëparshme dhune apo kërcënimesh.

Autoritetet po marrin në pyetje anëtarë të familjes dhe persona të njohur për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes çiftit dhe nëse kishte shenja paralajmëruese që janë neglizhuar.

Sipas burimeve paraprake, 55-vjeçari dyshohet se ka pasur çrregullime të natyrës psikike. Megjithatë, ai nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa priten vlerësimet mjeko-ligjore dhe hetimet për gjendjen e tij mendore.

Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe ka nxitur reagime të forta në mediat italiane, si edhe në komunitetin shqiptar në rajon, duke rihapur debatin mbi dhunën ndaj grave dhe nevojën për masa parandaluese më efikase.

Të Fundit