Dy fëmijët që ranë në lumin Arachthos në Artë të mërkurën kanë ndërruar jetë në spital.
Sipas mjekëve, ata pësuan vdekje klinike dhe prindërit vendosën për të dhuruar organet e tyre.
Shqiptari Kleoni Fezollari dhe greku Spyros Kristofor qëndruan nën ujë për rreth 20 minuta. Pas 30 minutash të tjera filloi kryerja e CPR-së në spitalin e Artës, ku mjekët luftuan me përkushtim për t’i rikthyer në jetë.
Ata u transferuan më pas në spitalin e Rios, ku qëndruan në kujdesin intensiv në gjendje kritike. Dy ditë pas aksidentit, pavarësisht përpjekjeve të mëdha mjekësore, ata u shpallën në vdekje klinike.
Spyrosi 14-vjeçar u hodh në lumë për të shpëtuar shokun e tij 12-vjeçar ndërsa në vendin ku ndodhi tragjedia, miqtë e tyre kanë vendosur lule dhe mesazhe prekëse ndërsa aty ka ardhur dhe emigranti shqiptar që u zhyt në ujë për të shpëtuar.
“Do t’ju kujtojmë përgjithmonë, ikët si heronj. Shoqëria juaj,” thuhet në një nga shënimet që miqtë lanë në vendin e ngjarjes.
Kronika e tragjedisë në Arachthos
Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës, kur një grup prej katër fëmijësh shkoi në lumin Arachthos për të notuar. Sipas informacioneve, 12-vjeçari u zhyt i pari në ujë dhe filloi të mbytej.
Duke parë shokun në rrezik, 14-vjeçari Spyros u hodh për ta shpëtuar, por u godit në kokë, duke bërë që të dy të mbyten.
Dy fëmijët e tjerë që ishin me ta vrapuan për të kërkuar ndihmë. Levian Goga, një emigrant që ndodhej pranë, reagoi menjëherë.
Heroi që u hodh në ndihmë pa menduar dy herë
Duke folur për protothema.gr, Levian Goga tregoi momentet dramatike të ndërhyrjes së tij:
“Isha në kafene. Një fëmijë erdhi me motor dhe bërtiti ‘ndihmë, dy fëmijë po mbyten në lumë!’ Pa menduar dy herë, vrapova. Hipa në makinë, shkova në vendngjarje. Kalova nëpër kallamishte, kontrollova — nuk pashë asgjë. Hipa në një varkë me disa të tjerë. U zhyta një herë — asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë, u zhyta më thellë, rreth tetë metra. Atje e pashë.”
“Fëmija ishte shtrirë, i palëvizshëm, me një fytyrë të nxirë, krahë dhe këmbë të hapura. Pastaj dëgjova se kishin parë të dytin. U zhyta përsëri, dy-tri herë. E gjeta. Ishte me shpinë në fund. Kur e nxora lart, po i rridhte gjak nga hunda dhe goja. U frikësova.”
Ai e përfundoi rrëfimin me një mesazh njerëzor:
“Njëri ishte afërsisht në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje. Jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do të bënte çdo baba. Mendoj vetëm për fëmijët.”