Shpërndanin ekstazi e ketaminë në plazhet e Dhërmiut, arrestohen shtetasit anglezë

Policia e Vlorës ka finalizuar një operacion antidrogë në Dhërmi, ku janë arrestuar dy shtetas anglezë të dyshuar për shitje të lëndëve narkotike në zonat turistike bregdetare të qarkut.

Gjatë kontrollit, forcat e rendit sekuestruan sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, përfshirë MDMA, ketaminë dhe kokrra ekstazi, si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas i shisnin dozat e lëndëve narkotike në ambientet e argëtimit përgjatë vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

“Në vijim të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta, falë administrimit të menjëhershëm të informacioneve nga inteligjenca policore dhe në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar “Cocktail”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj, lindur dhe banues në Londër, J. B., 34 vjeç, dhe J. C., 33 vjeç, të cilët qëndronin të akomoduar në fshatin Dhërmi. Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre dhe në automjetin tip “Mitsubishi”, në përdorim të tyre, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 52 doza me lëndë narkotike të llojit MDMA, 51 doza me lëndë narkotike të llojit Ketaminë, 120 kokrra Ekstazi, një shumë prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh si dhe 4 aparate celularë”, thuhet në  njoftimin e policisë.

Të Fundit