Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se vendi i tij i ofroi ndihmë ushtarake Izraelit menjëherë pas sulmeve të 7 tetorit 2023 në Rripin e Gazës, duke theksuar lidhjet e ngushta mes dy vendeve. Deklarata u bë në një intervistë për gazetën izraelite The Jerusalem Post, ku Vuçiç foli për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe marrëdhëniet politike me Izraelin.
“Mbrëmjen e 8 tetorit morëm një mesazh nga Izraeli ku na u kërkua ndihmë konkrete. Si ish-ministër i Mbrojtjes, e kuptoja urgjencën dhe arritëm të përgatisim çfarë na u kërkua brenda katër ditësh,” tha Vuçiç.
Kreu i shtetit serb u shpreh se është i vetmi lider evropian që bashkëpunon në tregtinë e municioneve me Izraelin, duke shtuar se për këtë shpesh përballet me kritika nga kolegët e tij ndërkombëtarë.
“Ne gjithmonë do ta respektojmë dhe do ta duam popullin hebre dhe Izraelin. Kjo është ajo që ndjej vërtet,” u shpreh Vuçiç.
Ai gjithashtu falënderoi Izraelin për votën kundër rezolutës së miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila shpall 11 korrikun si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës”.
Sipas Jerusalem Post, Serbia dhe Izraeli kanë ndërtuar bashkëpunim në fusha të rëndësishme si energjia e rinovueshme, pasuritë e paluajtshme dhe teknologjia e lartë. Ndërkohë, në media është raportuar se shitjet e armëve serbe drejt Izraelit në vitin 2024 kanë kaluar vlerën e 23 milionë eurove, edhe pse autoritetet serbe nuk kanë konfirmuar zyrtarisht këto të dhëna.