Të moshuarit nëse dëshirojnë do të shkollohen dhe për ata do të ndërtohet një universitet i posaçëm.
Është kjo një iniciativë e qeverisë e cila pritet të realizohet në 5 vitet e ardhshme. Ky institucion do të ofrojë kurse gjuhësore, artistike, teknologjike kulturore etj… me qëllim aktivizimin mendor.
Qeveria parashikon të ndërtoj një sërë politikash mbështetëse për angazhimin e të moshuarve në shoqëri, paralelisht me ndërhyrjen në rritjen e pensionit mesatar dhe dhënien e pensionit të 13-të. Për sociologet këto masa janë të duhura në një periudhë ku të moshuarit kanë nevojë jo vetëm për asistencë financiare.
“Një universitet për të moshuarit ekziston si praktikë edhe në rajon e aplikuar nga Serbia por dhe Kroacia, e ndërsa po e adapton edhe Shqipëria. 300 subjekte private, deri në 2030-ën, duhet të krijojnë kushtet për punësim të përshtatshëm për të moshuarit. Ndërsa do të jepen edhe bonuse për punësimin pas studimeve.”, shprehet Gëzim Tushi, sociolog.
Eris Dhamo sociologe por dhe hartuese e politikave për të moshuarit thotë se këto iniciativa janë në momentin më të mirë për tu ndërmarrë.
“Por për ndërgjegjësimin mbi plakjen e shëndetshme do të përfshihen edhe të rinjtë në fushatat sensibilizuese por dhe personazhet e njohur”, shprehet Eris Dhamo, hartuese e politikave të moshimit.
Në të gjithë Shqipërinë janë rreth 720 mijë pensionistë të cilët do të përfitojnë nga këto politika mbështetëse.