Policia e Fierit ka zhvilluar një operacion antidrogë të koduar “Implicazione”, ku u arrestuan dy vëllezër të dyshuar për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike ndërsa gjatë operacionit, u përdor edhe droni.
Në pranga ranë shtetasit K. Sh., 47 vjeç dhe E. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar ndërsa njëri prej tyre u kap pas një ndjekjeje nëpër ara, pasi tentoi të largohej kur pa policinë.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën doza kanabisi të gatshme për shitje ndërsa në banesën e dy vëllezërve të arrestuar, shërbimet e Policisë sekuestruan si prova materiale dy armë zjarri automatikë, tre krehra municioni, një thikë, një sasi dozash të kanabisit të ndarë gati për shitje, si dhe 200 fara dhe 179 fidanë kanabisi të kultivuar në kubikë.
Njoftimi i policisë
“Finalizohet me sukses një tjetër operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Implicazione”, u sekuestruan 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike, qindra fara dhe fidanë kanabisi.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që prodhonin dhe shitnin kanabis, si dhe posedonin armët e zjarrit.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Fier dhe i punës së pandërprerë të inteligjencës policore, për shtetas të cilët prodhonin dhe shitnin lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe posedonin armë zjarri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Implicazione”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier kapën dhe vunë në pranga shtetasit K. Sh., 47 vjeç dhe E. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar. Shtetasi E. Sh., sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur menjëherë nga ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Sh. iu gjetën doza kanabisi, të cilat i shiste në fshatin ku banonte.
Nga kontrollet e kryera në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Ngjeqar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri automatikë, 3 krehra, 1 thikë, doza kanabisi, 200 fara kanabisi dhe 179 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.