Qyteti gjerman i Këlnit është përfshirë nga masa të jashtëzakonshme sigurie, teksa rreth 20.000 banorë po evakuohen nga lagjja Deutz, pas zbulimit të tre bombave të Luftës së Dytë Botërore. Municionet, dy prej të cilave peshojnë nga 20 tonë dhe një tjetër 10 tonë, janë të pajisura me fitil impakti, gjë që e rrit ndjeshëm rrezikun e shpërthimit gjatë çaktivizimit.
Sipas WDR, zona e evakuimit përfshin pjesë të mëdha të qendrës së qytetit dhe qytetit të vjetër, përfshirë 58 hotele, muze, shkolla, kopshtet, dhe ndërtesa qeveritare. Autoritetet kanë nisur evakuimin që prej orës 08:00 të mëngjesit me orën lokale, ndërsa kanë paralajmëruar se personat që nuk zbatojnë urdhrat do të largohen me forcë nga policia.
Urat Hohenzollern, Deutz dhe Severins mbi lumin Rajn janë mbyllur.
Stacioni hekurudhor Cologne Messe/Deutz ka pezulluar aktivitetin.
Deutsche Bahn ka njoftuar vonesa dhe anulime të përhapura në linjat kryesore, përfshirë ICE Sprinter për në Berlin dhe linjat për në Stuttgart.
Qyteti ka hapur dy qendra pritjeje për banorët e zhvendosur: një në Sallën e Ekspozitave 10.1 dhe një tjetër në Kolegjin Profesional Humboldtstrasse. Kafshët shtëpiake nuk lejohen në këto qendra.
Në përgjigje të situatës, kompani të mëdha si RTL Deutschland kanë kaluar operacionet në modalitet pune nga shtëpia, ndërsa transmetimet live janë zhvendosur përkohësisht në Berlin.
Koha e çaktivizimit të bombave mbetet ende e pasigurt, por autoritetet njoftojnë se procesi do të nisë vetëm pasi të përfundojë plotësisht evakuimi.