Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar në media për vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si një dënim politik me qëllim që ai të pengohej nga pjesëmarrja në fushatën elektorale.
“Nuk blihem dot nga kundërshtari. E kam mundur Edi Ramën dhe sojin e tij në Korçë, në Kavajë e kudo ku më është dhënë përgjegjësi politike dhe do ta mundja njësoj edhe në Elbasan,” u shpreh Salianji.
Sipas tij, dënimi është qartazi politik dhe i paprecedentë në Shqipëri për këtë vepër penale.
“Qëllimi ishte izolimi dhe pengimi im për të bërë fushatë. Për këtë vepër, nuk ka pasur asnjë rast tjetër që është dënuar me burg,” shtoi Salianji.
Ai theksoi gjithashtu se është hera e parë që një deputet gjykohet nga gjykatat e zakonshme, dhe se qëllimi kryesor ka qenë marrja e mandatit dhe ndalimi i kandidimit. “Duke qenë se gjykata nuk dha dënim plotësues për të më ndaluar funksionet publike, u përdor artifici i burgosjes për të më mbajtur larg betejës,” përfundoi ish deputeti.