Një edukatore nga Italia ka përfunduar në qendër të vëmendjes, pasi u pushua nga puna për shkak të aktivitetit të saj në platformën OnlyFans.
Elena Maraga, 29 vjeç, e punësuar në një çerdhe të drejtuar nga famullia në qytetin Treviso, është larguar nga detyra pasi drejtuesit zbuluan se ajo kishte një profil aktiv në OnlyFans, ku publikonte përmbajtje për të rritur.
E ftuar në një emision radiofonik, Elena ka treguar hapur arsyet që e shtynë drejt kësaj platforme. Ajo tha se paga mujore prej 1200 eurosh nuk mjaftonte për një jetë të dinjitetshme, ndaj vendosi të eksplorojë mënyra të tjera për të fituar.
“Më dërguan një letër ku më njoftonin se isha pushuar për sjellje të papërshtatshme dhe për prishjen e marrëdhënies së besimit. E konsideroj krejtësisht të padrejtë”, u shpreh ajo.
Skandali shpërtheu në muajin mars dhe shkaktoi polemika të shumta, ku disa prindër firmosën një peticion kundër largimit të saj, ndërsa të tjerë e kritikuan ashpër për përfshirjen në një aktivitet që, sipas tyre, nuk i përshtatet figurës së një edukatoreje.
Sipas rrëfimit të Elenës, një nga prindërit e fëmijëve të saj kishte blerë fotot e saj dhe i kishte shpërndarë në një grup futbolli, duke shkaktuar më pas tensione edhe në jetën private të tij.
“Më pëlqen vetja dhe trupi im. Vendosa ta kthej këtë në një mënyrë për të fituar të ardhura. Nuk e kuptoj ku qëndron problemi. Nuk ka ndikuar kurrë në profesionalizmin tim në klasë”, tha Elena.
Ajo kritikon shkollën katolike ku punonte për mungesë dialogu dhe për mënyrën sesi, sipas saj, u mor vendimi pa i dhënë mundësinë të shpjegonte situatën.
“Thonë që predikojnë moralin, por nuk më lanë as të flas. Të gjitha veprimet i bënë në heshtje, me letra”, shtoi ajo.