Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shikon partitë e vogla si klonimet më të shëmtuara dhe më antidemokratike.
Sipas tij, PD iu afrua të gjitha partive të vogla për koalicion, por nuk pranuan. Berisha tha se ato duan të marrin vota nga selia blu për të ndihmuar Edi Ramën.
“Nxjerrin të ashtuquajturit opozitarë të opozitës. Ata janë klonimet më të shëmtuara, më antidemokratike që mund të bëhen. Sigurisht ke të drejtë të bësh apo të mos bësh koalicion, por një gjë ta dini, të gjitha atyre forcave politike, jo PS-së dhe “bravës”, se “bravës” mos e pyet si është puna e tij, të gjithë i kemi ftuar. Jo se unë nuk kisha vërejtje, por interesi juaj, interesi i madh i vendit për të shpëtuar nga kjo e keqe., i ftuam të vijnë në koalicion. Çfarë thonë tani?
Ne nuk duam rotacion. Duan Edi Ramën atëherë. Rrinë për të zgrapur vota nga ne në mënyrë që të ndihmojnë Edi Ramën. Ky është akt i shëmtuar. Nxjerrin teza që ne jemi kundra sistemit. Cilit sistem? Kujt ia thua këtë? Harron që kjo është shtesë talebanësh. Ka një opozitë të vërtetë që po përballet dhëmbë për dhëmbë dhe që deri dje ishe në atë opozitë ti. Po kur të kapën për veshi e të nxorrën jashtë nxjerr teza të tilla. Unë nuk dua rotacionin. Unë jam opozitë e sistemit. Kjo do të thotë opozitë e opozitës, shërbëtor i qeverisë”, tha Berisha.