Tre punonjës të Doganës së Kapshticës janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar kalimin e një ngarkese me mallra ushqimore me dokumente të falsifikuara.
Policia e Korçës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj shtetasve:
Vasfi Toska 49 vjeç, banues në Korçë;
Erjon Gozhdari 45 vjeç, banues në Tiranë;
Anxhela Elezi 39 vjeçe, banuese në Korçë.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 15 prill 2025, kur këta punonjës të doganës dyshohet se nuk kanë kryer praktikat e nevojshme doganore për një kamion që transportonte mallra ushqimore. Në vend të kësaj, ata kanë regjistruar ngarkesën me dokumente të dyshuara si të falsifikuara, duke mos njoftuar organet kompetente.
Në procedim është përfshirë edhe Drejtori i Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Dritan Çekani si dhe dy specialistë për Hetimin Doganor, Kejdi Kacupi dhe
Genti Tashana.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse në këtë skemë janë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe për të përcaktuar sasinë dhe natyrën e mallrave të transportuara.