Rama, vizitë në një kompani në Kashar, merr dhuratë një fanellë me numrin 5: Me hyrjen në BE, ndryshojnë menjëherë edhe pagat

Teksa ishte i pranishëm në një kompani veshjesh sportive në Kashar, kryeministri Edi Rama mori një dhuratë të veçantë, një fanellë në të cilën ishte stampuar ‘Shqipëri’ dhe ‘Rama’, shoqëruar me numrin 5, renditja e PS në fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Kryesocialisti, gjatë fjalës së tij, foli për rëndësinë e hyrjes në BE dhe ndikimin që do të ketë në sipërmarrjet dhe punonjësit shqiptarë. Ai tha se dikur sipërmarrësit shqiptarë investonin më shumë në godina dhe automjete, ndërsa tanimë janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e punonjësve të tyre.

“Sipërmarrësit shqiptarë në shumë investuan shumë më tepër për godinat e makinat sesa menduan për punëtorët. Sot ka kthesë të rëndësishme edhe për faktin se e kanë kuptuar se nuk shkon dot më përpara me shfrytëzimin e krahut të punës. Duhet që krahun e punës ta motivosh dhe ta mirëmbash, kështu që në këtë aspekt është vërtetë impresionuese dhe mbresëlënëse kjo që ndodh këtu”, u shpreh Rama.

Sipas tij, me hyrjen në BE, rrit më shumë kapacitetet dhe fitimet e kompanive, por gjithashtu edhe mbështetjen financiare të punonjësve.

“Ka disa degë ne disa vende të BE dhe me strategjinë për ta kthyer Shqipërinë në një hapësirë ku të mbledhë të gjithë produktet nga vendet e tjera për t’i çuar në Evropën Perëndimore na jep provë të qartë të avantazhit që ka Shqipëria, strategjik, që po mundohemi ta mbështesim me infrastrukturë, rrugë e hekurudha ndërkohë që hapi tjetër i futjes në BE do ta bëjë më të lehtë për kompaninë si kompani evropiane që të rrisë kapacitetet, fitimet dhe padiskutim detyrimisht edhe mbështetjen financiare tuajën.

Të gjithë punonjësit e Shqipërisë duhet ta dinë se momenti i hyrjes në BE ndryshon menjëherë edhe pagat se bëhet më e lehtë për këdo që të shkojë edhe të thotë nuk ma bën mua pagën kaq, po shkoj ta marr për shembull në Irlandë.”, u shpreh kryesocialisti.

Të Fundit