Rritet inflacioni, ushqimet dhe argëtimi vazhdojnë të kushtojnë shtrenjtë

Inflacioni në vend ka prekur nivelin 2.1%. Por, mbi këtë nivel qëndrojnë ushqimet dhe argëtimi, të cilat kanë njohur rritje të çmimeve në muajin mars.

Inflacioni për muajin mars shënoi një rënie në 2.1%, krahasuar me ndryshimin e marsit të kaluar, 2.3%.

Megjithatë, ulja e përgjithshme nuk është reflektuar te çmimet e ushqimeve, të cilat vijojnë të rriten, duke arritur në 3% nga 2.8% që ishin në muajin shkurt. Ushqimet dhe produktet bazë mbeten faktorët kryesorë që mbajnë në presion inflacionin, duke ndikuar drejtpërdrejt fuqinë blerëse të qytetarëve.

Përveç ushqimeve, edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe argëtimi kanë shënuar një nivel inflacioni mes 4.4 dhe 7.5%.

Nga ana tjetër, transporti ka shënuar një ulje të inflacionit me -2.5%, e cila raportohet te tregu i makinave dhe i shërbimeve te mekaniku.

Pavarësisht inflacionit të ulët, ekspertët parashikojnë një rritje të moderuar në muajt e ardhshëm, për shkak të normave të ulëta të interesit dhe rikuperimit të lehtë të euros kundrejt lekut, duke e orientuar inflacionin drejt objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë, edhe tarifat e vendosura nga SHBA për mallrat e eksportit do të reflektohen në çmimet e tregut.

Të Fundit