“O Ilaria ime ku je”- Shpërthen në lot e ëma e 22-vjeçares që u vra nga i dashuri

Në një atmosferë dhimbjeje të thellë, u mbajt këtë të hënë në Terni të Italisë, ceremonia mortore për Ilaria Sulën, 22-vjeçaren shqiptare e cila u vra brutalisht nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson.

Ceremonia e lamtumirës nisi në orën 14:00 nga banesa e familjes, ku arkëmorti i bardhë u përcoll nga të afërmit, miqtë, fqinjët dhe qytetarë të shumtë, për të vijuar drejt varrezave të qytetit, ku Ilaria do të prehet përfundimisht.

Mediat italiane pasqyruan dhe momentet e dhimbshme kur nëna e të ndjerës, shpërtheu në lot dhe ulërima, teksa përcillte arkëmortin me vajzës.

“O Ilaria ime, o vdeksha mami për ty, o Ilaria ime, ku je ti o shpirt i mamit, ku je që nuk ke dritë në sy, ku je mbyllur ti o shpirt i mamit. Të solla mami tek shtëpia, se the do të vij në shtëpi, të solla mami tek shtëpia o zemër, o Ilaria hapi sytë”, dëgjohej ndër lotë dhe dhimbje.

Përveç familjarëve, miqve dhe të afërmve, në varrim morën pjesë dhe përfaqësues të shoqatave që luftojnë kundër dhunës ndaj grave, duke shfaqur solidaritetin e tyre dhe angazhimin për të ndaluar dhunën.

Që në mëngjesin e kësaj të hëne, dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara banesës së Ilaria Sulës duke lënë lule, kartolina dhe pankarta për të nderuar kujtimin e saj dhe për të dërguar një mesazh kundër dhunës.

Babai i Ilaria Sulës falënderoi të gjithë qytetarët, kryetarin e bashkisë dhe forcat e policisë për mbështetjen dhe solidaritetin e dhënë në këto momente të vështira.

Ai e theksoi se ky moment dhimbje për familjen do të jetë gjithashtu një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për problematikën e dhunës ndaj grave dhe për të kërkuar më shumë veprime nga shoqëria dhe shteti.

Të Fundit