Tinka Kurti u shfaq në ekran mbëmjen e djeshme duke dhënë një mesazh për aktorin Laert Vasili, ndërsa rrëfeu se tashmë jetonte në një azil.
“Kam pasur shumë probleme. Kam pasur fatin tjetër që erdha në këtë shtëpi që e shihni ju, që është një mrekulli, por për mua ishte një tragjedi. Doja që të ikja sa më parë, por tani nuk them se dua të iki sepse ka njerëz të mrekullueshëm.
Këtu ka njerëz të mrekullueshëm dhe ambient shumë të bukur. Më vjen shumë mirë kur iu kushtoheni shumë artistave, sepse jemi të numëruar në jetë tani. Ja na iku Margarita. Na la një dhimbje të madhe.
Për mua ka qenë tronditje e madhe, sepse unë kam fituar nga ajo. Ne jemi artistë që i kemi shërbyer popullit, do i shërbejmë këtij kombi deri sa të kem i frymën e fundit”, tha ajo.
Hera e fundit që Tinka Kurti u shfaq në publik ishte më 3 Prill për homazhet në nder të aktores së madhe Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare. Karriera prej 60 dekadash e Tinkës përfshin më shumë se 50 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore.
Në vitin 2018, ajo humbi nga një sulm në zemër të birin Zef Kurti. Nuk dihet se si kanë rrjedhur ngjarjet që një artiste me një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografi si Tinka Kurti, e cila është nderuar me medalje “Mjeshtër i Madh i Punës” nga presidenti i Republikës, ka përfunduar në një shtëpi të moshuarish.