Përplasi një person me makinë dhe u largua nga vendngjarja, arrestohet punonjësi i Policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar punonjësin e policisë me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, i dyshuar për veprat penale “Mosdhënia ndihmë” , “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Punonjësi i policisë, më 3 mars, ka përplasur me makinë një shtetas dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit.

Si pasojë e aksidentit, AMP njofton se i lënduari është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë Inspektor J. R., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Korçë, i dyshuar për veprat penale “Mosdhënia ndihmë” , “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndalimi i tij u bë pasi me datë 03/03/2025 duke drejtuar mjetin e tij në aksin Hoçisht – Bilisht, është përfshirë në një aksident rrugor me pasojë plagosjen e shtetasit D. GJ., dhe është larguar nga vendi i ngjarjes duke mos i dhënë ndihmë të aksidentuarit dhe duke mos njoftuar organet e rendit.

Si pasojë e aksidentit shtetasi D. GJ., është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Të Fundit