Donald Trump i ndërpret ndihmat ushtarake Ukrainës, pas sherrit me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë

Nuk kanë të përfunduar telashet për Ukrainën dhe drejtuesit e saj pas incidentit diplomatik që u zhvillua në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti Donald Trump dhe zëvendësi i tij u përplasën ashpër me liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Paralajmërimet se SHBA nuk do të pranonte dhe shumë gjatë këtë “mosmirënjohje” të Zelenskyt duket se zgjatën vetëm disa orë, pasi presidenti amerikan ka marrë një vendim që me shumë mundësi do të ndryshojë dhe rrjedhën e luftës nëse nuk ka një reagim të shpejtë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi së fundmi se presidenti Trump sapo ka nënshkruar urdhrin për të ndaluar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, duke qenë se kreu i Shtëpisë së Bardhë edhe më herët ka pasur kritika për mënyrën sesi ajo është shpërdoruar, ku një pjesë e madhe e fondeve nuk dihet se ku ka përfunduar.

“Presidenti ka qenë i qartë se ai është i përqendruar te paqja. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, u shpreh një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Lajmi u raportua më herët nga gazeta amerikane Bloomberg e cila shkroi se “SHBA po ndalon të gjithë ndihmën aktuale ushtarake për Ukrainën derisa liderët e vendit të tregojnë një përkushtim të mirë ndaj paqes”.

Bloomberg shton se të gjitha pajisjet ushtarake amerikane që nuk janë aktualisht në Ukrainë do të ndalohen të bëjnë më tej, duke përfshirë armët në tranzit dhe në depot në Poloni.

Të Fundit