Dumani përplaset me të dënuarit e “Plumbit të Artë”: Do t’ua ha hallvën të gjithëve

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë” është shoqëruar me replika të forta ndërmjet të dënuarve dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Gjatë dëshmisë së tij, në një moment tensioni, Dumani është shprehur i irrituar ndaj njërit prej të dënuarve, duke thënë:
“Nuk vdes unë. Pa ju ngrënë hallvën të gjithëve, nuk ma hani mua!”

Kjo deklaratë ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga i pandehuri Enver Diva, i cili nga kafazi i të akuzuarve i është përgjigjur Dumanit me tone të ashpra:
“Do e shohim ne se kush ja ha hallvën njëri-tjetrit!”

Dëshmia e Dumanit vazhdon
Në vijim të seancës, Dumani ka vazhduar të japë dëshminë e tij, ku është pyetur nga avokati i të akuzuarit Agron Qoli, Ilia Ilia, lidhur me marrëdhëniet e tij me disa personazhe të tjerë të përfshirë në dosjen e njohur.

Avokati Ilia ka kërkuar të dijë se si ka lindur njohja e Dumanit me Agron Qolin. Dumani ka sqaruar se ai e njeh Agron Qolin nga viti 2001-2003 dhe se kanë pasur marrëdhënie të mira, madje kanë qenë miq dhe komshinjtë, duke përmendur gjithashtu se Agroni ishte larguar për në Durrës në vitin 2012.

Marrëdhëniet me të tjerët
Në një pyetje tjetër, avokati Ilia ka kërkuar informacion nga Dumani lidhur me marrëdhëniet e Agron Qolit me Petrit Qolin, për të cilin Dumani ka pohuar se ishin kushërinj, ndërsa ai vetë nuk ka dijeni nëse ata kanë punuar ndonjëherë bashkë.

Përsa i përket marrëdhënies së Agron Qolit me Festim Qolajn, Dumani ka pohuar se ata shoqëroheshin dhe çdo natë mund të gjendeshin tek lokali i Festimit.

Avokati Ilia ka vazhduar me pyetje rreth marrëdhënies së Agron Qolit me Besnik Qolin, ku Dumani ka sqaruar se Agroni ka folur gjithmonë me respekt për Besnikun, duke e konsideruar si një njeri serioz.

Në fund të dëshmisë, Dumani ka theksuar se nuk ka dijeni për ndonjë lidhje të ngushtë mes Agron Qolit dhe Festim Qolaj.

Të Fundit