Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ndodhet në Berlin, Gjermani, për të marrë pjesë në hapjen e Panairit të Turizmit, që është më i madhi në botë.
Shqipëria është zgjedhur si vendi i nderit për vitin 2025. Në kuadër të këtij evenimenti, Rama ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shfaqet duke folur në shumë gjuhë të botës dhe duke prezantuar Shqipërinë.
Megjithatë, ai ka sqaruar se ndonëse videoja duket sikur flet perfekt në shumë gjuhë, nuk është se i di ato, por ka përdorur Teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për të gjeneruar fjalimin.
“Dhe me videopërshëndetjen surprizë për Panairin e Turizmit në Berlin, ku do të më shihni duke folur edhe gjuhë që nuk i di fare, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar ai në postimin e tij.
Rama theksoi se Shqipëria është e përgatitur për të lënë një mbresë të veçantë me ofertën dhe prezantimin e saj në këtë panair.