KQZ nuk e regjistron në zgjedhjet e 11 majit partinë e Bashës, Celibashi: Afat deri të hënën!

Ndërsa afati i regjistrimit në KQZ për zgjedhjet e 11 majit për partitë përfundoi mesnatën e djeshme, shkon në 49 numri total i tyre, me kërkesa të aprovuara për pjesëmarrje.

Por një parti ka hasur probleme juridike. Bëhet fjalë për Demokratët Euroatlantikë të Lulzim Bashës, që me kryetar Endri Hasa ka dorëzuar kërkesën për regjistrim si Koalicioni Euroatlantik, duke e huazuar nga një tjetër parti.

Por kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i tha përfaqësuesve se duhej një vendim i formës së prerë nga gjykata, të cilin nuk e kishin. Për këtë shkak është kërkuar kohë, pasi edhe afatet ishin përshpejtuar dhe Celibashi dakordësoi të hënën si ditën e fundit të dorëzimit të vendimit.

“E kemi të pamundur të sjellim vendim të formës së prerë. Na prisni deri të hënën. Afatet u përshpejtuan dhe ne kemi nevojë për kohë”, thanë përfaqësuesit e Koalicionit Euroatlantik. Kurse Celibashi u shpreh: “Ju pres të hënën, dua vërtetim nga regjistri i partive për ndryshimet e bëra”. Më 7 mars mbyllet afati për koalicionet dhe deri më 12 mars dorëzimi i listave me emrat e deputetëve nga partitë politike.

Të Fundit